Egnatia në hall, pa mbrojtje në supersfidën me Vllazninë

Javët e fundit duket sikur Egnatia ka humbur atë qetësinë që e ka karakterizuar deri tani. Një skuadër konstante, me cilësi, e cila pa shumë zhurmë rimori vendin e parë dhe prej javësh qëndron në krye. Mirëpo, mungesat e shumta për arsye dëmtimesh dhe rezultatet zhgënjyese me skuadrat që luajnë për mbijetesë, duket se kanë shtuar nervozizmin në kampin e kampionëve. Të paktën, kjo gjë është vënë re javët e fundit, teksa çdo javë bardhejeshilëve u mungojnë lojtarë për shkak të pezullimeve me kartonë. Më shqetësues janë bërë kartonët e kuq, që po kthehen në “modë”, ku fillimisht para dy ndeshjesh u ndëshkua Regi Lushkja ndaj Dinamos dhe në sfidën e fundit Serxho Ujka përballë Tiranës, situatë kjo që tregon qartë një nervozizëm që po kalojnë kampionët, të cilët po e shfaqin më fushë. Ndoshta ngjeshja e ndeshjeve dhe grupi i cunguar ka sjellë edhe probleme të kësaj natyre në ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova.

sfidanti.al