Atë që ndërtoi në dy vite mud ta prishë për pak javë dhe ndoshta jo tërësisht për faj të klubit apo drejtuesve por edhe Egnatia kryesuese po tregon që “vesin” e ndryshimeve radikale në mes të sezonit e ka të trashëguar nga kultura futbollistike në Shqipëri. Edhe pse u shpall kampione dimri, skuadra rrogozhinase ka bërë ndryshime shumë të mëdha në fazën sulmuese ku gjatë pjesës së parë të seznit nuk ka hasur aspak vështirësi, e madje edhe pas vdekjes së Dwamena. Me shitjen e azerit Vusal Isgandarlit dhe largimin thuajse të pashmangshëm të lituanezit Gytis Paulauskas, klubi i Egnatias është i detyruar të ribëjë repartin e sulmit.
Deri më tani janë afruar Jurguens Montenegro dhe Mario Gjata, ndërsa klubi ka zyrtarizuar edhe qendërmbrojtësin Fransua Dylis, si dhe mesfushorin me tipare sulmuese, Melih Ibrahimoglu. Ardhja e 23-vjeçarit turk ka bërë që reparti i mesfushës të mbipopullohet. Në këto kushte, dikush do të sakrifikohet pasi mundësitë për të luajtur priten të jenë me pikatore. Sa i takon sulmuesit, në klub përflitet për një lojtar që ka luajtur në Spanjë dhe Portugali së fundmi. Gjithsesi, drejtuesit janë të rezervuar në këtë moment, pasi ende marrëveshjet nuk janë mbyllur.
sfidanti.al