Egnatia po përgatitet për ndeshjen e kthimit të turit të parë të Champions League me Borac Banja Luka. Humbja minimale 1-0 në ndeshjen e luajtur në Bosnje lë të hapura mundësitë e kualifikimit për kampionët e Shqipërisë, që në ndeshjen e parë u përballën me koret raciste të tifozëve vendas, por dhe një gjykim i cili u la pasoja si për atë sfidë ashtu dhe për takimin e kthimit. Arbin Zejnullai dhe Edision Ndreca u ndëshkuan me kartonë të kuq në takimin e parë e rrjedhimisht nuk do të jenë në fushë në përballjen e së mërkurës në “Elbasan Arena”.
Dy mungesa me peshë për trajnerin Edlir Tetova që duhet të bëjë pa dy titullar. Pas sfidës së parë ku kontestimet ishin të shumta nga ana e klubit rrogozhinas, UEFA ka caktuar një arbitër me eksperiencë për ndeshjen e kthimit. Italiani Fabio Maresca do të vendosë drejtësi në ndeshjen e kthimit. 43-vjeçari është një gjyqtar me eksperiencë që arbitron rregullisht në Serie A, ndërsa është i angazhuar dhe në kompeticione e UEFA-s në jo pak raste. Egnatia dhe Borca Banja Luka do të luajnë ndeshjen e dytë në Elbasan Arena të mërkurën duke nisur nga ora 21:00, me rrogozhinasit që duan që të kalojnë për herë të parë një tur në arenën ndërkombëtare. Kjo është hera e dytë që rrogozhinasit marrin pjesë në Kupat e Europës. Në rast kualifikimi, Egnatia do të përballet me PAOK në turin e dytë, ndërsa nëse eliminohet rrugëtimi i saj do të zhvendoset në Conference League ku do të përballen me skuadrën që eliminohet nga çifti Vikingur Reykjavík – Shamrock Rovers.
sfidanti.al