Teuta firmos me futbollistin e formuar tek Tottenham

Renaldo Torraj është lojtari më i ri i Teutës. Anësori i majtë, ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me durrsakët e do të jetë një vlerë e shtuar për ekipin e Edi Martinit. 19-vjeçari është formuar si futbollist në akademinë e Tottenham, ndërkohë që së fundmi ishte pjesë e Burnley U21. Torraj është grumbulluar rregullisht nga moshat e Shqipërisë, teksa së fundmi ka qenë pjesë e Kombëtares U21, ku ka marrë dhe vlerësim nga trajneri Alban Bushi. Torraj do kërkojë që të japë më të mirën e tij e të tregojë vlerat, për të përdorur kampionatin shqiptar si një trampolinë për të bërë një tjetër hap. Teuta po ashtu synon që të përfitojë nga shitja e mundshme e Torrajt, i cili konsiderohet si një nga lojtarët me më shumë perspektivë. “Djemtë e Detit” duan që në sezonin e ri të garojnë për gjysmën e sipërme të tabelës, teksa qëllim mbetet pjesëmarrja në Kupat e Europës edicionin e ardhshëm. Puna për sezonin e ri ka nisur dhe afrimi i Torrajt mund të konsiderohet një goditje e madhe.

sfidanti.al