Efekti pozitiv i dhunës ndaj Gjokës dhe arroganca ndaj Starovës

Vetëm tek ne mund të ndodhë edhe kështu, që dhuna ekstreme të sjellë efekte pozitive. Pasi dikush tentoi ta godasë pas një seance stërvitore në Shkodër, puna e trajnerit Gjoka në krye të Vllaznisë ka marrë një kthesë për t’u përshëndetur. Ambjenti është bërë ndjeshëm më dashamirës, ndryshe nga çfarë kishte deklaruar vetë trajneri më parë. Që pas asaj pasdite edhe mediat lokale janë bërë më të dashura me teknikun kryeqytetas, ndërkohë që skuadra po reagon për mrekulli në fushën e lojës. Pas barazimit të mundimshëm në Gjirokastër, dje shkodranët kanë arritur një fitore spektakolare në shtëpi ndaj Flamurtarit, madje me shifrat 3-0. Gjithsesi, skuadra vazhdon të jetë në një luftë serioze për mbijetesë dhe ndoshta kishte nevojë për një shkundje, por kurrsesi jo dhunë, për të të vënë në rrezik jetën. Por ambjenti është ky, kaq i ashpër, gjë që duket që nga mënyra se si zgjedhin herë pas here veten drejtuesit më të lartë të futbollit në vend dhe me çfarë prepotencë veprojnë me të gjitha hallkat që kanë vënë nën varësi. Kështu, në mënyrë natyrale, gjithçka e keqe reflekton në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe në fushat e lojës, apo ato të stërvitjes.

Ndërkohë që dita e djeshme u shoqërua edhe me largimin nga pankina të trajnerit Sulejman Starova, një veprim ky jo aq pedant sa në rastin e Gjokës, por gjithsesi i ashpër. Goli i Moçkës në transfertën e Durrësit i dha fund ditëve të Sulës në krye të Partizanit, megjithëse dukej qartë që kishin kohë që ja numëronin mbrapsht. Fillimisht, drejtuesit e klubit nuk donin as t’ia paguanin gjysmën e dënimit prej tetë javësh, të dhënë nga Komisioni i Disiplinës, ndërsa kthimi së fundi në stol e trajnerit 62 vjeçar, krijoi përshtypjen se do të ishte vetëm provizor. Tani nuk mbetet tjetër, veçse të presim për të parë se kur do ta thërrasin sërish për t’i dhënë një dotë skuadrës së kuqe.