Edy Reja “shpërfill” Inter: Napoli favorit për titull

Në Serie A, gara për titull duket një garë dyshe mes Napolit dhe Inter, sigurisht pa harruar edhe Atalanta-n, por dukshëm dy skuadrat e kreut kanë diçka më shumë se ekipet e tjera. Me 50 pikë në 21 javë, Napoli qëndron në krye, plus 3 në raport me zikaltërit, por ekipi i Inzaghi-t ka dhe një ndeshje më shumë në dispozicion. Edy Reja, ish trajneri i Shqipërisë, është i bindur se Napoli mund të fitojë titullin në Serie A, janë ata në sytë e tij favoriti kryesor:

“Kam përshtypjen se duhet të bëhemi gati për yllin e katërt. Kam parë një Napoli solid, një skuadër të sigurt, një skuadër që e di se çfarë dëshiron dhe si ta përgatisë. Të mos harrojmë, edhe Atalanta është e fortë, por Napoli ka diçka ndryshe, të ndëshkon në momentin që gabon”.

Në intervistën e tij për mediat italiane, Edy Reja u ndal te një tjetër detaj shumë domethënës, faktin që Napoli nuk luan në Evropë: “Është diçka tjetër të përgatisësh 35 ndeshje dhe diçka tjetër të luash 55 ndeshje në një sezon. Këmbët i ke më të forta. Inter është një skuadër më cilësore, por ata duhet të bëjnë llogaritë me Evropën, kjo shihet edhe nga numri i lartë i dëmtimeve”, u shpreh Reja.

sfidanti.al