E ardhmja e talentit shqiptar në mëdyshje, gjithë Italia pas Roko Vatës

Emri i Roko Vatës ka filluar të qarkullojë gjithnjë e më shumë në ambientet e futbollit të rëndësishëm europian. Tashmë janë klube të Serisë A të cilat kërkojnë djaloshin e talentuar shqiptar, i cili synon të gjejë hapësira në futbollin e rëndësishëm pas dy viteve të suksesshme si pjesë e skuadrës B të Sëlltikut.

Djali i ish-kapitenit të kombëtares shqiptare të futbollit, Rudi Vatës, raportohej si ishte nën vëzhgim nga Torino, i interesuar për shërbimet e fantazistit që mund të luajë edhe si sulmues krahu. Ndërkohë, mediat italiane raportojnë sot se për Vatën ka shfaqur interes një tjetër klub i Serisë A që gjurmon dhe u jep mundësisë talenteve të reja.

Verona është gati të bëjë një hap për të siguruar mesfushorin 18-vjeçar i cili aktualisht përfaqëson Irlandën në arenën ndërkombëtare, për t’i dhënë mundësinë që të tregojë vlerat e tij në futbollin italian. Transferimi i tij lehtësohet nga fakti se ai ka vetëm një vit të mbetur në kontratën që e lidh me klubin skocez, që sigurisht nuk do të dëshirojë ta lërë të largohet në verën e ardhshme si lojtar i lirë, pa përfituar ekonomikisht prej një transferimi të mundshëm, aq më tepër në Serinë A.

 

sfidanti.al