Skuadra e Dritës e ka përmbyllur një edicion të jashtëzakonshëm në Superligën e Kosovës në futboll, duke u kurorëzuar me titullin e kampionit për herë të katërt në histori. Edhe pse kampionatin e kishte siguruar javë më parë, Drita nuk u ndal as në javën e fundit, duke fituar me rezultat bindës 4:1 ndaj Feronikelit 74 në stadiumin e qytetit në Gjilan, për një festë madhështore me tifozët e saj “Intelektualët”. Dy gola për Dritën i realizoi sulmuesi Arb Manaj, ndërsa nga një gol shtuan edhe Besnik Krasniqi dhe Raddy Ovouka. Golin e vetëm për mysafirët nga Drenasi e realizoi Sokol Kiqina. Drita përmbylli sezonin me 74 pikë të tubuara dhe me paraqitje shumë stabile gjatë gjithë kampionatit, duke dominuar në pjesën më të madhe të garës. Në fund të ndeshjes, Federata e Futbollit e Kosovës organizoi ceremoninë e ndarjes së medaljeve dhe trofeut të kampionit. Trofeun e kampionit për kapitenin e Dritës, Rron Broja e dorëzuan presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe përfaqësuesi i Albi Mall, Alb Humolli. Ndërkohë, medaljet për futbollistët dhe stafin teknik i ndau edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Kjo arritje e Dritës vjen pas një sezoni të mirëorganizuar dhe me shumë përkushtim, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë menaxherial, duke konfirmuar edhe njëherë se kjo skuadër është ndër më të konsoliduarat në futbollin kosovar. Me titullin kampion, Drita do ta përfaqësojë Kosovën në garat evropiane në sezonin 2025/26, në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, në javën e fundit të kampionatit është përcaktuar edhe skuadra e fundit që do të na përfaqësojë në garat evropiane. Pas Dritës kampione, Ballkanit si nënkampion dhe Prishtinës si fituese e Kupës së Kosovës, biletën për Evropë e ka siguruar edhe Malisheva, të cilës i ka mjaftuar barazimi 2:2 në kryeqytet kundër Prishtinës. Malisheva kaloi në epërsi me autogolin e Diar Halilit dhe golin e Drilon Hazrollajt, ndërsa Prishtina barazoi me golat e Sinan Kadirit dhe Ronald Sobowale. Gjilani dhe Ferizaj që kishin shpresa për pozitën e tretë, barazuan në përballjen e tyre 2:2. Ferizaj kaloi në epërsi me golat e Valmir Nafiut dhe Betim Haxhimusës, por Gjilani u kthye në lojë me golat e Armend Thaqit dhe Almir Aganspahiq. Në fund, Gjilani e përfundoi sezonin me 51 pikë në vendin e katërt, ndërsa Ferizaj në vendin e pestë me 50 pikë.
Skuadra e Llapit fitoi ndaj Dukagjinit me rezultat 3:1 në xhiron e fundit dhe e përfundoi sezonin në pozitën e tetë me 44 pikë. Në ndeshjen vendimtare, Llapi u tregua superior me dy gola të Ahmed Januzit dhe një të Arianit Hasanit, ndërsa për Dukagjinin shënoi Erlis Xhemajli. Llapjanët do ta kërkojnë mbetjen në elitën e futbollit kosovar përmes ndeshjes së barazhit, ku do të përballen me skuadrën e Ligës së Parë, Vushtrrinë. Ndërkohë, nga elita pas Feronikelit 74 është përshëndetur edhe Suhareka, e cila në javën e fundit barazoi 2:2 me rivalin lokal, Ballkanin.
sfidanti.al