Skuadra e plotë dhe me minutat në këmbë. Trajneri Sylvinho ka kërkuar lojtarë që aktivizohen me skuadrat e tyre dhe të tillë ka plot në grupin aktual që ka nisur të punojë jo me ritëm të plotë për të evituar dëmtimet dhe ngarkesën e tepërt.
Me skuadrën, gjatë orëve të fundut janë bashkuar Ylber Ramadani, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Arbnor Muja, Ernest Muçi, Elseid Hysaj dhe Elhan Kastrati të cilët kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar mes palestrës dhe ushtrimeve fizike në fushë pa top pasi vijnë nga ndeshjet e së fundjavës. Pjesa tjetër e lojtarëve përveç ushtrimeve fizike, është angazhuar në një ndeshje kontrolli së bashku me lojtarët e Kombëtares U-19, që është e grumbulluar në Tiranë duke u përgatitur për dy miqësoret ndaj Azerbajxhanit.
Vetëm mesfushori Qazim Laçi është lënë pushim për shkak të gjendjes gripale, me lojtarin që po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi. Shqipëria do të përballet me Republikën Çeke më 7 shtator, ora 20:45, me ndeshjen që luhet në stadiumin “Fortuna Arena” dhe është nga më të rëndësishmet e kësaj fushate kualifikuese.