Futbollistët e skuadrës së njohur gjermane kanë provuar më se një herë çdo të thotë rreziku. Nuk harrohet bombardimi ndaj autobusit, që për fat nuk solli viktima, ndërsa verdhezinjtë u kujtuan për këtë, pasi përjetuan një tjetër frikë të madhe, këtë herë në aeroplan, dhe kjo besohet për faj njerëzor.
Delegacioni i Dortmundit u nis me dy aeroplanë nga aeroporti në qytetin e tyre drejt Madridit, për ndeshjen ndaj Atletikos në Champions. Në avionin Airbus 320 ishte skuadra e parë, ndërsa në avionin tjetër, një Boing 737, ku ishte skuadra U19 që merr pjesë në Championsin e të rinjve, si dhe disa miq të shquar të klubit.
Dy pilotët, gjatë udhëtimit, qendruan pranë njëri-tjetrit, në rreth 1 minutë distancë, ndërsa në aeroportin e Barahasit në Madrid u ul i pari Boingu. Për fat të keq, piloti nuk arriti ta nxjerrë shpejt nga korsia e zbritjes, ndaj u rrezikua që dy avionët të përplaseshin në pistë. Menjëherë piloti i Airbusit vendosi të ndërpriste uljen dhe të ngrihej sërish në fluturim.
Në vetëm 600 metra lartësi, ai veproi shpejt dhe me vendosmëri, por natyrisht në avion pati tronditje, pasi Airbusi ngrit në 1250 metra për vetëm 8 sekonda, duke kaluar nga shpejtësia 298 km në orë, në 370 km në orë. Në bord pati panik, por piloti komunikoi shpejt me pasagjerët, duke i treguar arsyen.
Në avion, pati të qeshura nga e keqja, ndërsa drejtori sportiv i BVB-së, Mikael Cork, u shpreh se “kemi përvojë në këto punë, por asnjëherë nuk është bukur t’i provosh”.
Sfidanti.al