Murinjo është tmerri i lojtarëve, Matiç: Fshihemi prej tij!

Nuk është aspak njeri i lehtë për të punuar apo për t’u marrë vesh. Zhoze Murinjo nuk i ka arritur sukseset e mëdha në karrierë, duke qenë “urtë e butë”, “qingji i mirë pi dy nëna”, por duke u përplasur, duke punuar “si derr” dhe duke qenë tepër kërkues ndaj lojtarëve të tij. Duke i shtuar kësaj edhe ashpërsinë si njeri, kuptohet se ai është përplasur me yje të mëdhenj si Kristiano Ronaldo e Sergio Ramos tek Reali, apo me lojtarë të talentuar dhe tepër të vlerësuar nga reklama, si Pol Pogba.

Natyrën e Murinjos e tregon shumë mirë Nemanja Matiç, lojtari shembullor serb, që punoi me të tek Çelsi, dhe është sërish me të tek Mançester Junajtidi. “Pas çdo humbjeje, lojtarët fshihen prej tij dhe nuk duan t’i dalin përpara, – tregon mesfushori, – trajneri është nën presion të madh, pasi prej tij pritet vetëm që të fitojë, dhe ai dëshiron vetëm që të fitojë, ndërsa kur humbet natyrisht nuk ndihet mirë. Atëherë, mos i dil përpara”.

Murinjo ia ka dalë përgjithësisht të punojë edhe në kushte të vështira dhe sherresh, ndonëse flitet se u largua nga Çelsi për shkak të Xhon Territ në 2007, pati sërish ftohje tek blutë, apo iku jo me suksesin e zakonshëm nga Madridi.

Sfidanti.al