Pesë ndeshjet e fundit e kanë prishur disi humorin në kampion dinamovit. Skuadra kryeqytetase nuk ka mundur të fitojë dhe ka mbetur prapa kreut me pikë.
Blutë kanë ndjerë mungesën e disa titullarëve me peshë, por ka pasur edhe ndeshje, ku ishin mundësitë për të bërë më mirë, si ndaj Skënderbeut në kampionat e Kupë, apo edhe ndaj Vllaznisë së fundi. Edhe pse në një krizë rezultatesh, skuadra e Ilir Dajës qëndron në vend të 3-të, brenda objektivit të “Final 4”.
Synimi për pjesën e mbetur të sezonit është që Dinamo të kapë vendin e dytë për të pasur edhe avantazhin e barazimit në ndeshjet shtesë për titullin. Po ashtu, do të kërkohet kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, pavarësisht se ndeshja e parë çerekfinale me Skënderbeun është humbur 0-2.
Për situatën që kanë kaluar kryeqytetasit, ndeshja e nesërme me Laçin ka marrë rëndësinë e një sfide vendimtare. Dinamo i bën punë vetëm fitorja, për renditjen së pari dhe pastaj edhe për gjendjen psikologjike. Brenda një kohe të shkurtër blutë duhet të përballojnë një numër të lartë ndeshjesh mes kampionatit e Kupës. Për fat të mirë të trajnerit Daja, grupi është plotësuar këtë javë, teksa lojtarët e dëmtuar janë rikuperuar. Tani blutë kanë nevojë për një trepikësh, që do të largonte ngarkesën e krijuar nga mungesa e fitores. Kjo javë ka qenë pak më ndryshe në kampin blu, sepse me kompletimin e organikës edhe stërvitja është më efikase dhe po ashtu përcjell më shumë besim për lojtarët.
sfidanti.al