Dinamo, Bregu do Kupën

Dejvi Bregu rikthehet ai që të gjithë e prisnin te Dinamo. Shënon dy gola dhe u jep tri pikë shumë të rëndësishme bluve, të cilët i japin fund ecurisë me barazime në kampionat.

Në intervistën e dhënë për mediat, sulmuesi vlonjat vlerëson këtë fitore, duke e parë të rëndësishme për vazhdimësinë. Ka besim se do të rigjejë formën e tij si para se të dëmtohej, me shpresën që të ndihmojë sa më shumë Dinamon që të arrijë objektivat e sezonit. Bregu ka besim edhe te përmbysja në Kupë ndaj Skënderbeut në mesjavë, pavarësisht se duhen rikuperuar dy gola. Sa i përket derbit me Tiranën, sipas tij ka kohë, por synimi është të vazhdojnë me ecurinë pozitive.

Bregu, morët një fitore të rëndësishme ndaj Laçit. Si ndiheni?

Ishte një fitore e rëndësishme, për vetë faktin se na kishte munguar shumë këto ndeshjet e fundit. Ishim në një moment, që duhet të riktheheshim te 3-pikëshi dhe për fat të mirë ia arritëm qëllimit.

E prisnit këtë dopietë?

Të gjithë presin nga unë dhe unë nga vetja. Jam një nga futbollistët më me eksperiencë në kampionatin shqiptar, pasi kam luajtur që në moshë të re, ndaj edhe pritet nga unë. Megjithatë, e rëndësishme është që Dinamo u rikthye tek tri pikët, sepse ato sjellin besimin në skuadër. Besimi është ai që formon frymën e grupit.

sfidanti.al