Dritan Mehmeti u rikthye si trajner i Dinamos me barazimin 1-1 kundër Tiranës. Një pikë që nuk lëviz shumë gjëra në renditje, por Mehmeti sheh anën pozitive, duke vlerësuar ndryshimin e atmosferës në skuadër. “Mendoj se kemi shumë punë për të bërë. Atmosfera, unë e kam shprehur edhe më përpara, është në rritje. Besoj se edhe djemtë janë munduar të bëjnë maksimumin, për aq kohë që ne punojmë si staf”.
Ndeshja me Skënderbeun është nga ato që duhen fituar patjetër duke parë pozicionin e skuadrës, por për Mehmetin detyrim është vetëm përmirësimi i cilësisë së lojës. “Çdo ndeshje ka shkallë vështirësie dhe nuk është se e shikojmë si detyrim. Ne si detyrim shikojmë që të bëjmë maksimumin në stërvitje dhe të japim 100% në ndeshje, pastaj mendoj se kampionati është i tillë që nuk të lejon që ta nënvlerësosh kundërshtarin”.
Dinamo vuan në gjetjen e golit dhe Mehmet, ashtu si Di Biaxho më parë, trajneri vë në dukje se problem mbetet qetësia në 20 metrat e fundit. “Mënyra se si ne duhet të shkojmë te porta e kundërshtarit ëhstë shumë e rëndësishme, plus që duhet të kemi edhe qetësinë, sidomos në 20 metrat e fundit. Mua më pëlqen mënyra se si kemi shkuar deri tek goli, apo mënyra se si e bëmë golin”, ka deklaruar trajneri Mehmeti.
sfidanti.al