Merkatoja e dimrit ka hyrë tashmë në fazën më të nxehtë të saj, me klubet që shpejtojnë të firmosin me ata lojtarë që kanë piketuar, sepse kampionati rinis shumë shpejt. Edhe Dinamoja është aktive në këtë drejtim, edhe pse nuk ka bërë deri më tani asnjë zyrtarizim. Bisedimet kanë avancuar dhe kryeqytetasit kanë siguruar shërbimet e mbrojtësit të djathtë, Jorgo Meksi, i cili po stërvitet me skuadrën e tij të re në Arbanë. Nga dita në ditë pritet që radhët e lojtarëve në dispozicion të trajnerit Mehmeti të shtohen, pasi Dinamo kërkon të përforcojë edhe mesfushën me sulmin.
Te Dinamo po punojnë për të forcuar edhe qendrën e sulmit. Në skuadër është vetëm Luis Kaçorri ai që e mbulon këtë rol, por ndonjëherë trajneri Mehmeti ka preferuar të luajë edhe pa të në formacion, duke ia besuar qendrën Denisonit. Për këtë rol është shënjestruar Ardit Tahiri i Dritës dhe Kosovës U21, me të cilin bisedimet duket se kanë ecur në rrugë të mbarë. Edhe ai është një lojtar i ri në moshë, por me karakteristika që pëlqehen nga drejtuesit e Dinamos. Blutë janë një skuadër që arrin të prodhojë raste para portës kundërshtare, por kanë vuajtur për një golashënues profilik. Aktualisht, në radhët e Dinamos shënuesi më të mirë janë Kaçorri dhe Denison, të dy me nga katër gola.
Në të njëjtën kohë, në planet e merkatos së kryeqytetasve janë edhe një qendërmbrojtës dhe një mesfushor qendre. Të dy këto pozicione madje kanë përparësi dhe drejtuesit e klubit po punojnë për të gjetur lojtarët që duhen. Ardit Hila mbetet një kandidat potencial për të veshur fanellën e Dinamos, pasi ka luajtur për Partizanin dhe Tiranën më parë. Fanellën e bluve do ta veshë në vazhdim edhe një sulmues nga Bregu i Fildishtë. Bëhet fjalë për Mori Bamba, një 21-vjeçar që luan si sulmues anësor në të dy krahët, por edhe si sulmues i dytë. Bamba është rritur futbollistikisht te Roma, ku ka qenë pjesë e 17 dhe 19- vjeçarëve të saj.
Ai ka pasur një eksperiencë të shkurtër te Livorno, por edhe te Leiksoesh në Portugali. Tani ka vendosur që t’a provojë veten në futbollin shqiptar dhe konkretisht me fanellën e 18 herë kampionëve të vendit. Për të fituar një fanellë titullari ai duhet të bindë trajnerin Mehmeti që ta aktivizojë para lojtarëve si, Zabërgja, Vila, Denison dhe ndonjë tjetër. Do të ketë konkurrencë të fortë për afrikanin, por duke pasur parasysh moshën e tij, kjo lëvizje mund t’i shërbejë më shumë të ardhmes.
sfidanti.al