Për një kohë të gjatë nuk ishte mësuar kështu. Barcelona pa Lionel Mesin në ekip në javën e parë të kampionatit nuk ndodhte që prej 10 vjetësh, në sezonin 2009-2010 të La Ligës. Ja që trajnerit Ernesto Valverde i qëlloi fati i keq për ta provuar atë që i ngjau Pep Guardiolës, veçse në pozita shumë më të vështira. Në 31 gusht 2009, katalanasit pritën Sportingun e Gihonit në “Kamp Nou” dhe nuk e patën të vështirë të fitonin 3-0 me gola të realizuar nga Bojan Krkiç, Keita dhe Ibrahimoviç. Në fund të sezonit, Barça e mbrojti titullin, dhe Mesi fitoi Këpucën e Artë në Spanjë me 34 gola.
Këtë herë do të luhet një duel shumë më i vështirë, në fushën e Atletikut të Bilbaos, dhe mungesa e Mesit do të ndihet shumë më tepër. Argjentinasi (në foto), po stërvitet fort që të kthehet sa më shpejt, ndërsa ndeshja në stadiumin e ri “San Mames” do të jetë vitrina më e mirë për Antuan Grizmanin, që debuton me katalanasit pikërisht kundër ekipit ndaj të cilit luante derbin, kur ndodhej tek Real Sociedadi.
Sfidanti.al