Sa shpejt erdhi kjo Seria A, Ronaldo e Lukaku nuk janë gati!

Emra të mëdhenj që pritet të vendosin fatin e ndeshjeve, por me shumë gjasë jo në javën e parë. Të tillë si Romelu Lukaku apo Kristiano Ronaldo nuk do të kenë “minutazhin” e duhur në këmbë për të luajtur në startin e Serisë A. Në 25 gusht, pritet të ngrihet “perdja e skenës”, me Interin që pret Leçen, dhe Juventusin që shkon në fushën e Parmës.

Lukaku mund të luajë 50 minuta, dhe trajneri interist, Antonio Konte, duhet të mendojë për sulmin. Edin Xheko nuk ka ardhur ende, madje edhe nëse vjen, vështirë të përshtatet për të qenë menjëherë titullar. Lautaro Martinez, po ashtu, është prapa me përgatitjet, sepse luajti në Kupën e Amerikës me Argjentinën. Në sulm, alternativa mbetet një “bebe” si Espozito, sepse Politano është sulmues i dytë për nga roli.

Kristiano Ronaldo duket më shumë i mundshëm për të luajtur ndaj Parmës në 25 gusht, por superylli portugez do të bëjë pushim ndaj Triestinës. Në ditët në vijim, trajneri Sarri do të vendosë, ndërsa duhet të shuajë dyshimet për formacionin me duelet Bonuçi-De Ligt, Xhan-Kedira dhe Higuain-Dibala.

Sfidanti.al