Andrej Rublev, mos është ky ylli i ri i tenisit botëror?!

Cili është njeriu që i shkaktoi Rozher Federerit humbjen më të shpejtë në 16 vjet? Andrej Rublev! Cili është njeriu, të cilit iu deshën vetëm 62 minuta për të thyer legjendën zvicerane në Sinsinati? Sërish Andrej Rublev! Ky rus 21-vjeçar po shihet me shpresë të madhe si “mesia” i dërguar nga “providenca” për të thyer hegjemoninë e tmerrshme të treshes Federer-Nadal-Gjokoviç në tenisin botëror.

Rublev e eleminoi rekordmenin e Grand Slemeve pasi fitoi 2-0, duke u kualifikuar për në çerekfinale. Ai i pati setet në favor 6-3 e 6-4, në një paraqitje që i bëri përshtypje të madhe mjeshtrit nga Zvicra. “Ai ishte super i pastër, – tha Federeri më pas, – në sulm, në mbrojtje, në shërbim. Ai nuk më dha asnjë mundësi, dhe ishte kudo në të gjithë fushën. Ishte shumë e vështirë për mua, por e shkëlqyer për të. Më bëri përshtypje të madhe”.

Gjithsesi, në Sinsinati, Rublevi mund të ketë punë me Novak Gjokoviçin, që kaloi në çerekfinale pasi mundi 2-0 Pablo Karreno Bustën. Federeri, Nadali dhe Gjokoviçi kanë fituar 54 Grand Sleme së bashku, më shumë se çdo treshe e madhe në histori.

Sfidanti.al