Trajneri i Francës në futboll, Didier Deschamps, e sheh Zinedine Zidanen si kandidatin “natyral” për ta zëvendësuar atë pasi të largohet nga përfaqësuesja franceze. Deschamps njoftoi muajin e kaluar se do të largohet pas Kupës së Botës 2026. Ai ka pasur suksese të shumta që kur e mori drejtimin e Francës në vitin 2012. Fitoi Kupën e Botës 2018 dhe shkoi deri në finale në Botërorin e vitit 2022. Ka pasur shumë raportime se vendin e Deschampsit te Franca do ta zërë Zidane. “Zizou është kandidat shumë i mirë, natyral dhe njëri që pritet ta marrë drejtimin”, ka thënë Deschamps të premten në një intervistë për “L’Equipe”. “Por përsëri, nuk e di nëse ai e dëshiron këtë post”. 52-vjeçari Zidane është trajner i papunë që kur e përfundoi periudhën e dytë te Real Madridi. Zidane me gjigantin spanjoll ka fituar tre trofe të Ligës së Kampionëve dhe dy herë ishte fitues i La Ligas. Zidane dhe Deschamps kanë luajtur së bashku në mesfushë, kur “Les Bleus” triumfuan në Botërorin 1998 dhe në Evropian dy vjet më vonë.
sfidanti.al