45 minutat e dyta mjaftojnë për t’i dhënë notë kaluese derbit të kryeqytetit Partizani-Tirana. Pas shtyrjes që iu bë duelit të Superiores për t’i bërë vend Kombëtares, më në fund pas shumë “vuajtjeve” FSHF organizoi sfidën më të nxehtë të futbollit tonë, ndërsa skuadrat në fushë respektuan pritshmëritë e emrit që ka kjo sfidë vetëm në pjesën e dytë. Takim me shumë ndryshime në stola e skuadrat respektive por në fund triumfoi ekipi i kuq që pavarësisht 4 mungesave dhe dëmtimeve arriti të triumfonte me një prekje magjike nga Mensah në minutat shtesë.
Ishte Maguette që hapi serinë e golave kur ndeshja po i drejtohej 15 minutave të fundit por Hasani barazoi në sekondat e fundit të kohës së rregullt. Gjithsesi, ky gol nuk e ndryshoi rrjedhën e takimit pasi 3 pikët shkuan në llogarinë e ekipit të drejtuar nga Arbër Abilaliaj që për këtë 90 minutësh zëvendësoi të larguarin Zoran Zekic. Në krahun tjetër, Tirana parakalohet dhe zbret në vendin e katërt me 13 pikë, 1 më pak se rivalët që kanë gjithashtu edhe një takim tjetër për të rikuperuar, atë me Teutën.
sfidanti.al