Ajo do të mbetet një nga ndeshjet më tragjike të historisë së UEFA Champions League. Saktësisht 20 vite më parë, Deportivo La Coruna finalizoi mrekullinë që sot e kësaj dite mbetet referencë për shumë skuadra që ndeshjet e para i humbasin me rezultate të thella por asnjëherë nuk duhet të dorëzohen pasi në futboll gjithçka është e mundur dhe këtë e vërteton shembulli i ekipit modest iberik. Në sfidën e parë çerekfinale, bardheblutë ishin mundur 4-1 nga Milani superfavorit për të hedhur hapin e madh drejt gjysmëfinales por mankthet e San Siros nuk e trembën ekipin spanjoll që realizoi të pamendueshmen duke triumfuar 4-0 në sfidën e kthimit për të avancuar më tej. “Mundësitë që ne të mos ia dilnim mbanë pas fitores së parë ishin aq të vogla sa mund të imagjinoni Gattuso-n të diplomohet për gjuhë-letërsi”, u shpreh kohë më vonë Andrea Pirlo por skuadra e drejtuar në atë kohë nga Carlo Ancelotti dështoi në mënyrë spektakolare duke regjistruar një nga humbjet më të dhimbshme të historisë. Skuadra e drejtuar nga Javier Irureta që 4 vite më parë kishte fituar edhe titullin në Spanjë, kaloi në avantazh që në minutën e 5 më Walter Pandiani dhe më pas Valeron në të 35-tën, Luque dhe Fran 15 minuta nga fundi kompletuan mrekullinë e “Riazor” edhe pse përballë Deportivo kishte lojtarë të klasit botëror si Cafù, Maldini, Nesta, Seedorf, Pirlo, Kakà e Shevchenko.
sfidanti.al