Atë që i mungon sportit në këtë kohë të sëmurë, pikërisht spektakli, duket se po ja kompeson presidenti i FSHF-së me lëvizjet e tij akrobatike. Pasi e largoi institucionin e tij nga çështja e hapur e Partizanit, e cila mund t’i kushtojë të kuqëve një dënim rënues, Duka është shprehur entuziast për një dënim të mundshëm të Tiranës. Gjatë një vizite në stadiumin e Kukësit, ku konfirmoi se ka mbuluar gjysmën e investitmit, shefi i futbollit e konsideroi një ngjarje shumë të rëndë, atë që ndodhi gjatë ndeshjes së Kupës midis Bylisit dhe Tiranës dhe për këtë arsye është investuar që të ketë një hetim të thelluar, shqiptar dhe ndërkombëtar. Ajo që bie në sy është, se rasti i kampionëve të rinj të vendit, nuk ngjan për nga përkushtimi i Dukës, me atë të kampionëve të dikurshëm të Skënderbeut, të cilët vazhdojnë të vuajnë një dënim të gjatë nga UEFA, por asnjëherë nuk kanë marrë një ndëshkim nga Federata jonë. Ndërsa tani standartet kanë ndryshuar dhe i besohet kompanive që monitorojnë lëvizjet e basteve, është premtuar se do të analizohen me seriozitet lëvizjet e futbollistëve në fushë dhe mbi të gjitha ajo ndeshje është cilësuar e pamoralshme. Ndërsa deklarata e drejtuesit legjendar të futbollit tonë ishte shteruese. Sipas tij, gjithçka ndodhi në një kohë që Shqipëria ishte zhdukur nga harta e kampionateve ku trukohen ndeshje. Pra prej vitesh, aq sa nuk mbahen mend, vetëm Bylis dhe Tirana e bëri pis futbollin tonë që kishte kishte kohë që rrotullohej në lavatriçe.
Ndërsa lëvizja e fundit është tentativa e hapur e presidenti të futbollit për të ndryshuar të gjithë kupolën e Komitetit Olimpik. Duka ka kërkuar me këmbëngulje zgjedhje të parakohëshme, madje shumë shpejt mund t’ia arrijë qëllimit të tij, pasi duket qartë që po drejton një lobim, nga i cili ka gjetur mbështetje. Dhe më e çuditëshmja është, që këtu nuk bën efekt asgjë dhe mund të vazhdosh të dalësh fitues me ligjin e të fortit. Futbolli shqiptar është më i dënuari në planet, ndërsa tek takimi i fundit i KOKSH-it, drejtuesit e federatave të tjera i drejtoheshin Dukës jo si koleg, por si president…