“Një trajner që erdhi nga Italia e bëri këtë skuadër të mendojë se ëndrrat janë të mundura, e bindi se mund të fluturonte aq sa fluturoi deri në Europian”. Kështu u shpreh Xhani De Biazi për “Supersportin”, pas humbjes në Luksemburg. Trajneri i kombëtares, pasi “fluturoi” vetë nga stadiumi në hotel, për të folur më i qetë, theksoi se “kjo skuadër duhet ta gjejë motivimin brenda vetes, jo tek dikush, pasi lojtarët janë të rritur”.
U mendua për një moment, se italiani mund të jepte dorëheqjen pas humbjes së rëndë, por duket se nuk ka ardhur momenti, dhe natyrisht është krejtësisht e drejta e tij për të mos e dhënë. “Një humbje që peshon shumë ndaj një skuadre që ka më pak cilësi se ne, – vazhdoi trajneri, – veçse, që pati më shumë dëshirë sesa ne, karakteristikë që e kishim ne për 2 vjet e gjysmë derisa shkuam në Europian, ndërsa pas Europianit skuadra nuk e gjeti këtë motivim për të arritur objektivat”.
Specialisti 60-vjeçar pranoi se përgjegjësia është gjithmonë e tij si trajner, pasi siç tha “skuadra është e imja”, por shtoi se ekipi duhet të ketë më shumë vullnet. De Biazi vlerësoi si shumë negative periudhën pas kalimit në avantazh, ku pati shumë pakujdesi. Tani duhet të shohim nëse disfata në Luksemburg ishte thjesht një aksident, dhe do të ketë reagim në Izrael, apo skuadra e ka lëshuar veten dhe nuk De Biazi nuk arrin ta motivojë më.
Sfidanti.al