Ndoshta nuk do të realizojë mrekulli të tjera siç ishte fitorja në Portugali dhe në miqësoren ndaj Francës në “Elbasan Arena”. Xhani De Biazi nuk është në stolin e Shqipërisë, me të cilën arriti në finalet e Euro 2016-ës, por tek Azerbajxhani, që ka vetëm 1 fitore në 13 ndeshjet e fundit. Gjithsesi, barazimi 1-1 në fushën e Irlandës në eleminatoret e Kupës së Botës tregoi se diçka mund të realizohet edhe në Kaukaz. Ekipi i De Biazit shënoi me anë të Emin Mahmudovit në fundin e pjesës së parë, dhe u mbajt mirë deri në fund. Vetëm 3 minuta para fundit, Shejn Dafi barazoi për irlandezët që shpëtuan të paktën pikën në shtëpi, dhe dy skuadrat janë në fund të grupit me nga 1 pikë. Gjithsesi, duke qenë që Luksemburgu ka 6 pikë, Azerbajxhani ka mundësi të arrijë në vendin e tretë në grupin A, që do të ishte një rezultat shumë i mirë. Për dy vendet e para po konkurrojnë Portugalia e Kristiano Ronaldos dhe Serbia që kanë nga 10 pikë.
Sfidanti.al