Daja karikon Ballkanin për Europën

Ballkani do të zbresë të enjten në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” për sfidën e tretë në Grupin C në Ligën e Konferencës ku përballë do të jetë Astana, ora 18:45. Trajneri I skuadrës kampione të Kosovës, Ilir Daja ka dalë në një konferencë për shtyp duke komentuar në funksion të kësaj sfide.

“Unë do të thoja që të jesh në këto nivele, sigurisht që prezent është edhe presioni sepse sa më shumë që e rrit nivelin, aq më shumë rriten pritshmëritë dhe aq më shumë është prezent edhe presioni. Ajo që bëjmë të gjithë së bashku, duke nisur nga unë, sepse këtë lloj menaxhimi në përgjithësi e bën trajneri me stafin e vet por kam një suport nga lojtarët me eksperiencë, kështu që mundohemi që këtë lloj presioni ta kthejmë në energji pozitive, sepse nëse do të ndodh e kundërta do ta kishim një proces frenimi”, tha Daja.

“E ardhmja ime? Pavarësisht se kontrata me Ballkanin përfundon në këtë fund të edicionit, besoj se do të jetë një kontratë që do të shtyhet, ndërsa për pjesën tjetër duhet të pyesni klubin sepse në fund fare duke qenë se jam në kontratë me Ballkanin asnjë ofertë nuk mund të më drejtohet mua personalisht, duhet të respektohen rregullat e transferime si për lojtarët ashtu edhe për trajnerët. Kështu që deri në këto momente nuk kam asnjë lloj kontakti sepse jam në kontratë me Ballkanin. Besojmë që nëse do të vazhdojmë kështu do të jetë më e gjatë dhe pastaj ofertat do t’i lëmë për një moment tjetër për të provuar diçka më ndryshe”.

sfidanti.al