U lind në një qytet në Jugosllavinë e atëhershme, që ishte pjesë e Republikës Socialiste të Kroacisë, pjesë e Federatës. Dado Prsho, sulmuesi që shkëlqeu për Monakon e Gllazgou Rejnxhërsin, si dhe disa vjet për Kroacinë, ishte bir i dy prindërve serbë në qytetin Obrovac, në krahinën që sot është pjesë e Zadarit, por që prej shekujt ishte Kufiri Ushtarak mes Perandorisë Austriake dhe Perandorisë Otomane.
Babai i tij e kishte emrin Rade dhe nëna quhej Nada. Karrierën, natyrisht, që e filloi me klubet kroatë si Zadari dhe Hajduku i Splitit, ndonëse nuk e mbajtën pasi nuk kishte talent shumë të madh. Gjithsesi, ai shkoi jashtë, provoi veten në Francë, ku përsëri nuk i eci, dhe vendosi ta linte futbollin profesionist e të merrej me ndonjë punë tjetër. U bë automekanik, por martesa e ndryshoi. Gruaja e tij Karola e bindi të kthehej në futbollin profesionit, ndërsa në një ndeshje ai ra në sy Zhan Tiganasë së famshëm, trajnerit të Monakos, që i dha menjëherë kontratë.
Me Monakon luajti nga 1999 deri në 2004, duke u shpallur kampion i Francës, si dhe duke arritur finalen e Championsit në 2004, ku nuk harrohet eleminimi i Realit të Madridit. Më herët, Monako mundi 8-3 Deportivon e La Korunjës, dhe Dado shënoi 4 gola. Vetëm pak lojtarë ia kanë dalë kësaj në Champions: Van Basten, Simone Inzagi, Lionel Mesi, Luiz Adriano dhe Josip Iliçiç. Më pas kaloi tek Gllazgou Rejnxhërsi ku për 3 sezone shënoi shumë, sidomos në sezonin e parë.
Për kombëtare ai zgjodhi Kroacinë, vendin ku lindi dhe ku u formua si futbollist. Madje, sipas mediave serbe dhe kroate, Dado u shpreh se “unë jam kroat, dhe jam me shumë fat që kam dhënë sado pak për fanelën dhe stemën kroate, jam kroat dhe të tjerat që thuhen janë budallallëqe”. Me Kroacinë luajti 32 ndeshje e shënoi 9 gola, ndërsa vëllai i Milani, luajti për Crvena Zvezdën në Serbi.
Sfidanti.al