Tek Bajerni, edhe basketbollistëve u ulet rroga me 30 për qind!

Klubi duhet të mbijetojë, dhe siç duket rrezikohet nga virusi edhe kur quhet Bajern i Mynihut. Bavarezët, pasi kanë bërë marrëveshje me futbollistët, kanë realizuar diçka të tillë edhe me basketbollistët. Mediat raportojnë se lojtarët e ekipit të koshit do të pranojnë një zbritje rroge prej 30 për qind për të mbuluar humbjet e pësuara nga kriza sportive dhe ekonomike që ka shkaktuar koronavirusi.

“Të gjithë lojtarët kanë pranuar të heqin dorë nga një pjesë e konsiderueshme e rrogës, – shkruhej në deklaratën e klubit, – këto hapa do të ndihmojnë në lehtësimin e gjendjes së vështirë të klubit”. Bajerni do t’i përdorë këto para për të paguar punonjës të klubit që marrin rroga shumë më të vogla, po ashtu edhe për qëllime humanitare, ndërsa parashikohet që 25 për qind e parave të biletave të shitura, që nuk do t’u kthehen tifozëve, do t’u dhurohen spitaleve të Bavarisë.

Sfidanti.al