Vetëm dy gola të shënuar në vitin 2025, por Ciro Immobile nuk ka ndërmend të largohet nga Beşiktaş. Ish-sulmuesi i Lazios po kalon një moment jo të lehtë në Turqi, por përmes një mesazhi të qartë në rrjetet sociale ai ka hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm në fund të sezonit. “Fanella e Beşiktaş-it ka për mua një kuptim të thellë. Kam ardhur në Stamboll korrikun e kaluar me entuziazëm dhe lumturi. Jam i motivuar për pjesën e mbetur të sezonit dhe edhe më shumë për vitin e ardhshëm. Të jem pjesë e një klubi kaq historik dhe prestigjioz më jep motivim çdo ditë. Dëshira ime e vetme është të luftoj për Beşiktaş-in dhe ta përfaqësoj këtë fanellë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka deklaruar sulmuesi italian. Kohët e fundit në Turqi kanë shpërthyer polemika lidhur me pagën e lartë të Immobiles. Presidenti i klubit, Serdar Adalı, ka bërë publike shifrat:
“Paga neto vjetore e Immobiles është 6 milionë euro. Me një tatim prej 40%, shtohen edhe 2.5 milionë euro, duke e çuar totalin në 8.5 milionë euro. Përveç kësaj, ka një bonus firme prej 2 milionë eurosh, për një total prej 10.5 milionë euro.” Megjithatë, pavarësisht kritikave dhe formës jo konstante, Ciro Immobile mbetet i vendosur të vazhdojë aventurën e tij në Superligën turke, me shpresën se do të arrijë të rikthejë formën më të mirë dhe të ndihmojë Beşiktaş-in të arrijë objektivat sezonalë.
sfidanti.al