Cikalleshi i hapur për ofertat, ndoshta mund të “gradohet” në Turqi!

Mbylli një sezon shumë të mirë dhe është i hapur për të ardhmen. Sokol Cikalleshi është një nga futbollistët e momentit në Superligën turke, dhe mediat në Turqi komentojnë se ai mund të kalojë në ndonjë skuadër tjetër. Vetë sulmuesi i Konjasporit dhe i kombëtares shqiptare iu përgjigj interesimit mediatik duke pohuar se është i gatshëm të diskutojë ofertat që mund t’i vijnë ndonëse shton se do të respektojë kontratën që vlen edhe për sezonin tjetër.

Cikalleshi shënoi 8 gola dhe shërbeu 3 asistë për Konjasporin, duke qenë një nga futbollistët më të mirë të ekipit, madje edhe mjaft i spikatur në nivelin më të lartë të futbollit turk. Ky nivel është thuajse i njëjtë për edicionin e kaluar kur luajti për Akhisarin në Ligën e Parë, shënoi 8 gola dhe shërbeu 2 asistë. Sulmuesi kavajas është në Turqi që nga viti 2016, duke veshur edhe fanelën e Istanbul Bashaksehirsporit, Ankarasporit dhe Gëztepesë, ndërsa në të kaluarën ka qenë në Kroaci me NK Splitin, në Korenë e Jugut, dhe në Shqipëri për Besën e Kavajës, Tiranën e Kukësin.

Përveç Cikalleshit, në Superligë sezonin e ardhshëm mund të luajnë edhe lojtarët e tjerë shqiptarë, si Eduart Rroca dhe Gentian Selmani. Rroca ishte mesfushori më i mirë i Ligës së Parë turke me 9 gola dhe 12 asiste, pra duke marrë pjesë në 21 gola të Istanbulsporit. Pritet që ai të ketë oferta gjatë verës dhe me shumë gjasë të luajë në Superligë, ndërsa ndihmoi ekipin e tij që të arrinte në plej ofin pikërisht për t’u ngjitur në elitën e futbollit turk. Gentian Selmani gjithashtu ishte një zbulim në portë për Bolusporin, duke bërë pritje të rëndësishme, deri edhe penallti, dhe duke u vlerësuar si një nga gardianët më të mirë të Ligës së Parë turke.

Sfidanti.al