Çfarë ndodhi me “kampionatin më të bukur të të gjitha kohërave”?

Mjafton të ndjekësh përballjet e skuadrave shqiptare në kupat e Europës dhe kupton që fushata publicitare që shoqëron kampionatin e vendit, nga fillimi i tij deri në fund është e stisur, ose më mirë të thuash e turpshme, për të gjetur fjalën e duhur. “Ky është kampionati më i bukur i të gjithë kohërave”… Kjo shprehje që ndërron vetëm vitin dhe që del nga po të njëjtat gojë, në fakt nuk është thjeshtë një spot, por një mënyrë për të ndikuar tek ndjekësit e mbetur të këtij lloj futbolli, duke u munduar t’i shesin si mall vitrine një produkt të pavlerë. Kjo është nënyra e zgjedhur nga “bosët”, që nëpërmjet mediave të tyre të ndërhyjnë me penel, për t’i dhënë një tjetër paraqitje në publik një imazhi të ndotur, një krijese fare të pasinqertë, që këta na i thonë ende garë, futboll, lojë, a diçka e tillë. Dhe cili është përfundimi i shprehjes dehëse, që edhe këtë rradhë na u tha disa herë në javë, për rreth 10 muaj?

Partizani u masakrua nga bullgarët e Botev (1-3) në “Selman Stërmasi” dhe flitet për një skuadër që kampionatin e vet e mbylli në vendin e shtatë. Tirana udhëtoi fare e pashpresë për në Tel Aviv (në fakt, ashtu siç është katandisur nuk ke se çfarë t’i kërkosh më shumë) dhe përfundimi 2-0 për Makabin. Ndërkohë që duhet theksuar, se dy skuadrat e kryeqytetit, dikur prezantuese dinjitoze të futbollit tonë kishin diçka të përbashkët… mungesën e lojës. Skënderbeu mundi minimalisht Sent Hulian, një ekip që vetëm dy herë në historinë e tij ka mundur të fitojë kampionatin e Andorras, në një kohë që kampionët tanë i kanë fituar aq lehtësisht titujt e tyre, saqë kanë filluar t’ia marrin nga vitrina me një shkresë me tre firma. Kjo po që është njësi matëse e futbollit, pikërisht ajo që tregon realisht se në çfarë niveli e kemi këtë sport.

Por, për të mos e hedhur në plehëra shprehjen e famshme reklamuese, me të cilën tashmë jemi familiarizuar, ndoshta duhet vetëm ta modifikojmë pak: “Ky është kampionati më unik i të gjitha kohërave”. Kështu është, se nuk ka nevojë për ndershmëri në përcaktimin e verdikteve, që tek titulli kampion dhe deri tek skuadrat që do ta lënë Superioren. Këtu jepen dënime ekstreme për arbitra, pa i shoqëruar me motivacion dhe riciklohen të nëpërmjet Champions League, një kompeticioni kaq prestigjozë, mëkatarë, të cilët mohuan personalitetin e tyre, për t’i bërë shërbime alogjike shefave. Ky i yni, në më të shumtën e rasteve është futboll spektakolar, vetëm kur luhet jashtë fushave, ndërsa kur topi është objekti kryesor, siç ndodh edhe në pjesën tjetër të globit, atëherë bëjmë paraqitje si ato të djeshmet në Europa League.