Çfarë halli për Sarrin: Mos më pyesni, duhet të heqim 6 lojtarë

Juventusi është kampion në fuqi i Italisë, skuadra e Kristiano Ronaldos dhe e drejtuar nga njeriu i “futbollit total”, Mauricio Sarri, por është njëkohësisht edhe plot me probleme. Këtë e pohon vetë trajneri, madje me tone alarmi të ngritura fort. Së pari, Sarri heq nga vetja përgjegjësinë për të ardhmen e Paulo Dibalës.

“Ajo që them unë për Dibalën nuk vlen aspak, – pohoi me sinqeritet ish-tekniku i Napolit dhe i Çelsit, – nga ana teknike do të ishte e parakohëshme të flisja, pasi ka bërë vetëm dy seanca stërvitore, dhe luajti vetëm 30 minuta ndaj Atletikos. Për karakteristikat që ka, mund të luajë si sulmues i fshehtë, por gjendja jonë është tepër e vështirë, problematike. Duhet të heqim 6 lojtarë për listën e Championsit, dhe rrezikojnë të mbeten jashtë lojtarë që janë të nivelit tepër të lartë”.

Vendime tepër të vështira për një trajner, ndërsa klubi duhet t’i japë një dorë për të larguar disa. Dibala nuk shkoi në Angli, as Mauro Manxhukiç. Dagllas Kosta tashmë e ka bindur Sarrin, ndërsa disa lojtarë janë ende jo në formën e duhur, si Kedira apo pikërisht Kosta. Juvja u mund 1-2 nga Atletiko, por rezultati është shqetësimi më i vogël për Sarrin dhe drejtuesit.

Sfidanti.al