Çfarë do të bëhet me futbollin (jo) europian të Shqipërisë?

Në kulmin e ndeshjeve të kampionatit europian, Shqipëria është ndarë në kampe të ndryshme me tifozët masivë të Gjermanisë, romantikët e Francës apo brezin e ri të Spanjës, por ajo që bën përshtypje në këto ditë të nxehta korriku, është merkatoja e vakët e klubeve të Superiores dhe mbi të gjitha, zjarri në tribunën e stadiumit “Skënderbeu”. Pjesërisht Tirana dhe me ritëm më të ulët, Partizani, Vllaznia dhe Egnatia kanë lëvizur për shkak edhe të ndeshjeve europiane që po afrojnë, ndërsa pjesa tjetër duket e përgjumur dhe ajo që shqetëson më shumë është fakti që nuk ka ende një debat nëse duhet ndryshuar formula.

Dështimi dhe boshatisja e stadiumeve për shkak të interesit të pakët që e nxiti edhe formula e re e Superiores, nuk u analizuan asnjëherë dhe me gjasa nuk do të merren në konsideratë pasi një zë i vetëm është i bindur se edhe duke dalë kundër shumicës, ka të drejtë. Të gjithë nën zë e kanë pranuar që formula aktuale është një dështim, ndërsa fakti është që në 4 ndeshjet e finales katërshe u numëruan tifozë sa për një ndeshje. Simbolikisht, djegia e tribunës VIP në Korçë mund të jetë simbol i mbirjes së barit të ri, por formulës së vjetër këtu në Tiranë, ende askush nuk ia vendos zjarrin.

sfidanti.al