Çelsi u trondit nga Brentfordi, por Reali duhet që t’ia ketë frikën!

Jo vetëm sepse vjet u eliminua nga ky ekip në gjysmëfinalet e Championsit. Nuk është vetëm kjo arsyeja që madrilenët duhet të kenë kujdes nga Blutë e Londrës në përballjen çerekfinale në Ligën e Kampionëve. Të besuarit e Karlo Ançelotit do të gjejnë përballë në “Stemford Brixh” një ekip që ka një filozofi të qartë loje dhe një trajner si Tomas Tuhel që mund t’ia zerë vendin Ançelotit sezonin e ardhshëm në “Bernabeu”. E përditshmja “Marka” shkruan se përveç humbjes 1-4 me Brentfordit, Çelsi kishte 15 fitore e 2 barazime në ndeshjet e fundit. Ekipi i Tuhelit di ta mbajë zotërimin e topit, di të luajë shpejt, është i fortë në mbrojtje dhe di gjithashtu të kundërsulmojë shpejt. Tekniku gjerman mbetet i paparashikueshëm, dhe gjithnjë bën ndryshime në formacion e në taktika. Gjithsesi, Çelsi është shqetësuar jo pak këto kohë nga problemet e pronarit Roman Abramoviç, që duhet të shesë aksionet. Ndoshta kjo është shpresa më e madhe e Realit.

Sfidanti.al