Aksionet e tij në bursën e futbollit sikur kanë rënë disi, por mbetet tepër i pëlqyer. Kartoni i Armando Brojës vlen sot 30 milionë euro, apo 25 milionë paundë stërlina, dhe sipas të gjitha gjasave vështirë se ai do të kthehet tek Çelsi. Kjo sepse trajenri Tomas Tuhel ka Lukakun, Vernerin dhe Havercin si alternativa kryesore. Gjithsesi, londinezët do të donin më shumë që ylli i ri kuqezi të largohej nga Anglia, pra do të pranonin t’ia jepnin Napolit, ashtu siç i dhanë Abrahamin Romës. Napoli pret të transferojë Viktor Osimhenin për 100 milionë euro dhe me ato para të marrë Brojën e të tjerë.
Gjithsesi, pretendentët në Premier Ligë janë të shumtë. Mediat britanike shkruajnë se Njukasëlli, i fuqizuar me miliardat nga Arabia Saudite, ka hyrë në lojë fuqishëm për një sulmues dhe njëri nga objektivat është pikërisht shqiptari. Edhe pse klubi anglez do të donte Viktor Osimhenin e Napoit dhe Daruin Nunjezin e Benfikës, sërish këta cilësohen si tepër të shtrenjtë dhe që vështirë të zgjedhin një ekip që nuk është në Champions. Broja cilësohet si tepër i përshtatshëm me 9 gola këtë sezon, dhe duke qenë 20 vjeç ai vlerësohet si një nga sulmuesit më të mirë të së ardhmes në Premier Ligë. Edhe Uest Hemi është në garë dhe është gati t’i paguajë 25 milionë paundët për kartonin e tij, ndërsa Sauthemptoni si gjithmonë është kandidat i fortë sepse shqiptari është përshtatur me ekipin gjatë gjithë këtij sezoni.
Sfidanti.al