Çekia “likujdon” Holandën, duket se Europiani i vërtetë nisi tani!

Nuk duhej të ishim habitur aq shumë që Italia vuajti dhe desh u eleminua nga Austria.  Nuk kaloi një kohë shumë e gjatë, dhe ja ku gjëma i ndodhi Holandës, një ekipi që kishte marrë tri fitore në grup, dhe që po cilësohej si një nga kandidatët për të fituar Europianin. Në çerekfinale shkoi Republika Çeke, skuadra gjithashtu e traditës madje edhe më të vjetër sesa ajo e “tulipanëve”, që ka provuar finalen e Kupës së Botës që në 1934 dhe në 1962, që ka fituar Europianin në 1976 dhe që ka qenë fare pranë suksesit edhe në 1996 në finalen e “Uemblit” ndaj Gjermanisë së Birhofit.

Nëse Austria më shumë u mbrojt dhe luftoi ndaj italianëve, çekët luajtën ballë hapur kundër holandezëve duke merituar gjithçka edhe me lojë. Mbajtën topin thuajse babarar, gjuajtën dyfishin e ekipit të trajnerit De Bur, madje patën 5 goditje në kuadrat, pa i lejuar Holandës asnjë. Po, po, “portokallinjtë” nuk arritën të gjuanin në portën e Vaclikut asnjëherë në gati 100 minuta në stadiumin e Budapestit.

Gjithsesi, ishte minuta e 51-të që vendosi gjithçka sepse fillimisht Malen humbi gol të sigurt për Holandën, ndërsa në aksionin pasardhës, De Ligt u detyrua ta prekte topin me dorë dhe doli me karton të kuq. Vendosi VAR-i dhe gjyqtari rus Sergej Karasjov. Pas minutës së 55-të nuk pati më sfidë, pasi çekët e trajnerit Jaroslav Shilhavi dominuan plotësisht. Rrjedhojë logjike ishin golat e shënuar nga Tomas Holesh, lojtar i Sllavias së Pragës, dhe Patrik Shik që luan për Leverkusenin në Bundesligë. Sukses bindës i një ekipi me filozofi të shkëlqyer futbolli, të cilin e pati përballë edhe kombëtarja shqiptare në Pragë kur u mund 1-3. Kundërshtari i radhës në çerekfinale do të jetë Danimarka, pra një duel mes dy ekipeve që janë të papriturat e Europianit deri tani.

Sfidanti.al