Është vetëm çështje kohe tani që Carlo Ancelotti të ulet në pankinën e Brazilit si trajner i ri i kombëtares, pas thashethemeve të shumta dhe konfirmimit zyrtar nga vetë trajneri italian. Ai do të përfundojë këtë sezon me Real Madridin, e më pas do të marrë valixhet për të nisur aventurën e re në krye të “Seleçaos”. Por ajo që ka ngjallur më shumë emocion është një prapaskenë interesante rreth stafit të tij të ardhshëm. Sipas asaj që raporton ‘CNN Brasil’, “Carletto” po mendon seriozisht ta përfshijë Ricardo Kaká-në në stafin e tij teknik. Një emër i madh, një figurë e besuar, sidomos nëse ndodh ndarja nga djali i tij, Davide Ancelotti, i cili mund të ndjekë rrugën e vet si trajner diku tjetër. Një ribashkim që prek zemrat kuqezi. Sepse Ancelotti dhe Kaká nuk kanë ndarë vetëm një periudhë karriere, por kanë shkruar faqe të lavdishme të futbollit bashkë: fillimisht te Milani, ku italiani e drejtoi trekuartistin brazilian drejt majave, e më pas sërish bashkë te Real Madridi. Ata kanë fituar bashkë, kanë ndarë emocione dhe trofe, por edhe një miqësi që ka mbetur e fortë me kalimin e viteve. Kaká e dëshmoi këtë së fundmi në rrjetet sociale kur u bë publike emërimi i Ancelottit: “Mirë se vjen, Mister Ancelotti! Zoti të bekoftë!” Për të parë debutimin e tij zyrtar si trajner i Brazilit do të duhet të pritet ndeshja e parë e kualifikueseve për Botërorin 2026, më 5 qershor kundër Ekuadorit, e më pas më 10 qershor ndaj Paraguajit. Por ëndrra ka nisur tashmë: Brazili sheh nga e ardhmja, duke u frymëzuar nga e kaluara magjike e dyshes Ancelotti-Kaká.
sfidanti.al