Awoniyi përplaset keq me shtyllën, operohet me urgjencë

Sulmuesi 27-vjeçar i Nottingham Forest, Taiwo Awoniyi, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të menjëhershme në bark dhe aktualisht ndodhet në koma të induktuar në terapi intensive. Awoniyi u dëmtua duke u përplasur në mënyrë tepër të dhunshme me shtyllën në fundin e ndeshjes që përfundoi 2-2 mes Forest dhe Leicester, një ndeshje që u karakterizua nga shpërthimi i bujshëm në fushë i pronarit të klubit, Evangelos Marinakis, ndaj trajnerit Nuno Espírito Santo menjëherë pas vërshëllimës së fundit. Shkaku i këtij reagimi të ashpër nga ana e presidentit grek ishte pikërisht fakti që sulmuesi nigerian u rikthye në fushë pas përplasjes (përpara se të dorëzohej nga dhimbja dhe ta linte skuadrën me 10 vetë në minutat shtesë), pavarësisht se ishte dukshëm në vështirësi dhe dëmtimi i tij ishte shumë më serioz sesa mendohej fillimisht. Awoniyi pësoi një dëmtim të rëndë në bark që, sipas Daily Mail, mund të kishte qenë fatal nëse nuk do të ishte trajtuar menjëherë me ndërhyrje kirurgjikale. Dje, Forest konfirmoi se lojtari iu nënshtrua një operacioni urgjent pas konfirmimit të natyrës së dëmtimit të hënën dhe u transportua menjëherë në spital.  Protestat e Marinakis ndaj trajnerit të tij kishin të bënin me faktin që Awoniyi u rikthye në fushë pavarësisht rëndësisë së dëmtimit dhe më pas nuk mund të zëvendësohej, pasi Forest kishte shfrytëzuar ndërrimin e fundit në minutën e 90-të duke zëvendësuar Elliot Anderson me Jota Silva. Sulmuesi tentoi të vazhdonte pas trajtimit në vijën anësore, por nuk ishte në gjendje të lëvizte, ndërkohë që skuadra e Nottingham kërkonte golin e fitores 3-2, i cili do ta afronte me kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Pas disa minutash, lojtari u detyrua të largohej nga fusha dhe nuk mori pjesë në shtesën e gjatë të ndeshjes, e cila përfundoi 2-2.

“Nottingham Forest mund të konfirmojë se Taiwo Awoniyi po rikuperohet mirë pas një operacioni urgjent për një dëmtim të rëndë abdominal të pësuar gjatë ndeshjes së së dielës kundër Leicester City”, thuhet në deklaratën e publikuar nga klubi në faqen zyrtare, që më pas justifikon edhe hyrjen në fushë të presidentit dhe përplasjen e ashpër me Nuno.

“Rëndësia e dëmtimit të tij është një kujtesë e fuqishme për rreziqet fizike që sjell ky sport dhe përse shëndeti dhe mirëqenia e një lojtari duhet të jetë gjithmonë përparësia kryesore. Te Nottingham Forest, ky parim nuk është vetëm një politikë për ne; është një bindje e thellë e pronarit tonë. Për Evangelos Marinakis, kjo nuk është thjesht një skuadër futbolli, është një familje, dhe ai ua përcjell këtë mesazh të gjithëve. Prandaj është ndier aq i përfshirë në mënyrë personale dhe emocionale në situatën që ndodhi të dielën në ‘City Ground’. Reagimi i tij ka qenë i motivuar nga kujdesi i thellë, përgjegjësia dhe përfshirja emocionale ndaj njërit prej nesh. Ai nuk e pa këtë thjesht si një incident të izoluar, por si diçka që pasqyronte vlerat dhe unitetin e gjithë skuadrës”.

“Në momente të tilla, ai tregon udhëheqjen e tij, jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime dhe me praninë e tij – vijon deklarata e Forest – Gjatë dhjetë minutave të fundit të ndeshjes, kur pa qartë lojtarin tonë në vështirësi, duke vuajtur nga dhimbje të dukshme, u bë gjithnjë e më e vështirë për të të qëndronte në pankinë. Frustrimi i tij i thellë kur pa lojtarin tonë të shtrirë në fushë në agoni – diçka që askush me ndjenja të vërteta nuk mund ta injoronte – e shtyu të zbriste në fushë. Ishte një reagim instinktiv, njerëzor, dhe një pasqyrim i asaj se sa shumë do kjo skuadër dhe njerëzit e saj. Ai do të bënte të njëjtën gjë sërish nëse një ngjarje kaq fatkeqe do të ndodhte përsëri. E vërteta është se nuk pati asnjë përplasje, as me Nuno-n e as me të tjerët, as në fushë e as brenda stadiumit. Pati vetëm një zhgënjim të përbashkët mes nesh për faktin që stafi mjekësor nuk duhej ta kishte lejuar lojtarin të vazhdonte lojën.”

sfidanti.al