Liverpool vendos për pasardhësin e Alexander-Arnold

Nuk bëhet fjalë për një interes të thjeshtë, por për një vendim të qartë: Liverpool ka zgjedhur emrin që do të pasojë Trent Alexander-Arnold, i cili është shumë pranë kalimit me parametër zero te Real Madrid. Zëvendësuesi i tij i mundshëm është Jeremie Frimpong, mbrojtësi i djathtë i shkëlqyer i Bayer Leverkusen-it, për të cilin tashmë kanë nisur bisedimet e avancuara mes klubit anglez dhe përfaqësuesve të lojtarit. Sipas asaj që raporton Sky Sports DE, trajneri i ri i Liverpoolit, Arne Slot, është një admirues i madh i holandezit të lindur në vitin 2000 dhe beson se ai mund të luajë një rol të dyfishtë, jo vetëm si mbrojtës i djathtë, por edhe si element ofensiv në krah. Edhe pse ende nuk është arritur një marrëveshje verbale përfundimtare me vetë lojtarin, dhe kontakti i drejtpërdrejtë me Bayer Leverkusen nuk është kryer, Frimpong i ka komunikuar klubit gjerman se është i gatshëm të largohet, në rast se vjen një ofertë e përshtatshme. Liverpool nuk është i vetëm në këtë garë – edhe klube të tjera nga Premier League kanë shfaqur interes – por “The Reds” janë aktualisht në pozita të favorshme. Duke marrë parasysh se Frimpong ka kontratë deri në vitin 2028 dhe një klauzolë largimi që varion nga 35 deri në 40 milionë euro, mjafton aktivizimi i saj për ta transferuar përfundimisht në “Anfield”. Në këtë sezon fantastik me Leverkusenin e Xabi Alonsos, 24-vjeçari ka qenë një ndër pikat kyçe të skuadrës, duke regjistruar 5 gola dhe 12 asistime në 48 ndeshje zyrtare. Një profil modern, teknik dhe shpërthyes – i tillë që premton të nisë një epokë të re në krahun e djathtë të mbrojtjes së Liverpoolit.

 

sfidanti.al