Sipas raportimeve nga ESPN, Real Madridi është pranë finalizimit të një marrëveshjeje për transferimin e Trent Alexander-Arnold nga Liverpooli. Mbrojtësit 25-vjeçar i përfundon kontrata me klubin anglez më 30 qershor, gjë që i hap rrugë një kalimi pa pagesë në ‘Santiago Bernabéu’. Megjithatë, marrëveshja mes lojtarit dhe Realit është tashmë arritur, ndërsa klubet janë ende në bisedime për një kompensim të mundshëm që do të mundësonte largimin e tij përpara skadimit të kontratës. Liverpooli ka vendosur një kërkesë prej afërsisht 1 milion eurosh për të lejuar Alexander-Arnold të largohet menjëherë, pa pritur fundin formal të marrëdhënies kontraktuale. Në Madrid, ai shihet si një zgjidhje kyçe për mbrojtjen në të djathtë, një pozicion që drejtuesit e klubit kanë synuar ta përforcojnë prej kohësh. Aftësitë e tij në ndërtimin e aksioneve dhe përvoja në nivele të larta e bëjnë atë një element strategjik në përbërjen e skuadrës. ‘Los Blancos’ kanë gjithashtu synimin ta kenë lojtarin në dispozicion për Kupën e Botës për Klube që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa përgatiten për një fazë të re zhvillimi nën drejtimin e pritur të Xabi Alonsos. Ky mund të jetë vetëm hapi i parë i një merkatoje të zjarrtë për kampionët spanjollë.
sfidanti.al