Partizani është kthyer në rival të preferuar për Bylisin, që nga edicioni i kaluar. Si me asnjë kundërshtar tjetër në vitet e fundit, Partizani e shikon veten me katër humbje radhazi në përballjet direkte me Bylisin. Pas sfidës me Dinamon, u vu re që Bylisi e kaloi menjëherë vëmendjen te takimi me Partizanin. Për këtë mund të thuhet se Bylisi është sërish gati për një përballje të rëndësishme për mbijetesën.
Pikët e grumbulluara me Partizanin ishin faktor i rëndësishëm, që Bylisi në siguronte mbijetesën në edicionin e kaluar. Fakt është se tashmë numëron tri fitore, po aq sa Partizani, dhe një prej tyre në 13 javët e para e regjistron me “demat”. Fitore bindëse me rezultatin 3 me 1 në stadiumin “Adush Muçaj”.
GOLAT- Nga 9 dhjetori i vitit të kaluar është tashmë një vit. Katër ndeshje në total ku Bylisi festoi nëntë gola të shënuar. ”Demat” e provuan katër herë shijen e golit. Partizani është vendosur në avantazh përgjatë dy sfidave, megjithatë mallakastriotët janë rikthyer me fitore. Mesatare e frikshme, që mund ta tregojë këtë takim si sfidën e golave për Superioren.
BARAZIMI- Partizani dhe Bylisi luajnë të mërkurën në përballjen që duket se garanton një fitues. Nga 6 shkurti i vitit 2021 numërohen 12 ndeshje të vlefshme për Superioren. Bëhet fjalë për tetë fitore që i përkasin Partizanit dhe katër të tjera miqve për sfidën e ardhshme. Asnjë barazim, plot 34 gola të shënuar në 12 ndeshje. Kështu tregohet një standard i pazakontë për Superioren mes dy skuadrave. Me vetëm 1 pikë më tepër se Bylisi i zonës së ftohtë, Partizani qëndron në garë për mbijetesën. Për këtë edhe ky takim është një nga më interesantet që premton java e 14-të e Superiores.

