Bylis do të presë Vorën të martën në orën 14.00 në stadiumin “Adush Muça”, me synimin e dhënies fund të krizës së rezultateve. Skuadra ballshiote ka tri humbje radhazi, me Teutën, Vllazninë dhe Elbasanin, pas fitores së vetme në tetë javët e para të kampionatit, e arritur kundër Partizanit.
Skuadra e Mirel Josës ka pësuar katër humbje, po aq sa edhe Vora, dhe golaverazhin e kanë të barabartë, me nga shtatë gola të shënuar e nëntë të pësuar. Diferencën midis skuadrës vendase dhe asaj debutuese e bëjnë fitoret e arritura, tri për Vorën, që kanë krijuar edhe diferencën e pikëve, katër më tepër për skuadrën e Arian Bellait.
Loja në shtëpi nuk jep garanci për ballshiotët, që kanë pësuar dy humbje në fushën e tyre në pesë ndeshje, përfshirë edhe atë me Flamurtarin, ku Bylis cilësohej si skuadra udhëtuese. Vora ka luajtur katër ndeshje në transfertë dhe dy prej tyre i ka humbje, ndërkohë që ka arritur një barazim, si dhe një fitore, kundër Elbasanit, për javën e shtatë.
Për momentin Vora është e distancuar katër pikë nga zona e ftohtë, ndërkohë që Bylis qëndron në vendin e tetë vetëm falë golaverazhit më të mirë se Tirana.

