Broja si “flamur” për të fshehur frikën?

Armando Broja në mediat italiane, faqet e para, intervista, qëndrime, reagime, zëra merkatoje…është gjithmonë atje, në qëndër të vemendjes. Prej shumë javësh, madje muajsh, Armando Brojës po i sigurojnë një trajtim si “Maradona shqiptar”, “Messi nga Shkodra” apo “Van Basteni kuqezi”. A është një djalosh i talentuar? Me siguri që është i tillë, por a e meriton Kombëtarja Shqiptare dhe gjithë ekipi një eklipsim të tillë? A fillojnë e mbarojnë hallet e Kombëtares te Broja? Me siguri që jo. Nëse Armando do të gëzonte statusin e Demollarit apo Panos, me siguri që debati do të ishte ndryshe sot por shtatlarti i Chelseat për të cilin po “çmendet” Milani, na ka ekzaltuar aq shumë sa gati gati kemi nisur të mendojmë se ai do të na marrë në krahët e tij dhe do të na dhurojë 9 pikët e vendit të parë të grupit të hekurt e kur me shumë munëdsi kjo nuk do të ndodhë, ne do të biem të gjithë nga krahët e Brojës dhe do të përplasim fytyrën e thyejmë kockat nga realiteti.

Armando sigurisht ka talent dhe ndoshta ndihet mirë me kurorën e mbretit të shqiptarëve në këtë europian, por kjo peshë e shtuar në supet e tij mund ta përkulë e lodhë shumë shpejt. Mos ndoshta Armandon po e adhurojmë nga vetëdija e fshehur në ndërgjegje se nuk kemi një skuadër aq të fortë në nivel ndërkomëtar sa për të mundur Spanjën, Italinë e Kroacinë dhe emrin e tij e përdorim për të larguar frikën? Apo mos atë po e përdorim për të fshehur problemet e futbollit tonë për t’i treguar botës krenarinë që buron nga një talent për të cilin nuk kemi kontribuar me asgjë. Një nga këto variante ka shumë gjasa që të jetë i vërtetë por këtë do ta vërtetojë Euro 2024.

Nga Pirro Bardhyli