Broja nuk i fsheh emocionet: Synoj ekipin e të rriturve

Armando Broja u shfaq shumë i lumtur, pasi luajti ndeshjen e parë sezonale. Sulmuesi ka kaluar dëmtimin dhe e nisi si titullar ndeshjen tek Everton U-21. Shqiptari luajti me 21-vjeçarët për të kapur formën, para se të aktivizohet me ekipin e parë. Megjithatë, tek Everton U-21, Broja luajti vetëm një pjesë ndaj Watford. Klubi i Evertonit shpjegoi se ishte ndërruar në pushim, ashtu siç ishte planifikuar më parë. Plani ka qenë që Broja të luajë vetëm një pjesë dhe ashtu ndodhi. Pas ndeshjes, sulmuesi u shfaq i lumtur për rikthimin, ndërsa synimi është të luajë me ekipin e parë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Jam i lumtur që u riktheva në fushë dhe po përmirësohem, që të rikthehem me ekipin e parë. Isha shumë i emocionuar që vesha fanellën e Evertonit. Ishte një ndjenjë shumë e mirë. Shpresoj ta vesh fanellën e ekipit të parë sa më shpejt. Luajta pjesën e parë, por ndjeja që mund të luaja edhe më shumë. Megjithatë plani ishte që të luaj vetëm 45 minuta, dhe fillimi ishte i mirë për mua. Si lojtar, duhet të jesh gjithmonë i durueshëm. Duhet durim me lëndimet, durim me situata që nuk janë gjithmonë në kontrollin tënd. Do të kisha dashur të isha kthyer më shpejt, por është një nga ato raste ku thjesht duhet të jeni i durueshëm, të merrni kohën tuaj, të siguroheni që jeni mirë dhe të siguroheni që çdo gjë është në rregull. Kur erdha për herë të parë tek Everton, do të kisha dhënë gjithçka për të qenë atje në fushë me lojtarët e tjerë. Kjo është ajo që çdo lojtar dëshiron: të jetë atje me skuadrën javë pas jave, duke luajtur dhe stërvitur”, u shpreh Broja.

sfidanti.al