“Kush është ai i verbër që nuk do sy”, thotë një shprehje popullore, pra kush është ai trajner që nuk e do një yll si Kilian Mbape? Po Jurgen Klop a e do francezin ta ketë në ekip? Nuk po themi nëse ka apo mundësi, sepse deri verën e ardhshme shumë gjëra mund të ndryshojnë financiarisht, por nëse trajneri i Liverpulit e mendon superyllin francez në “Anfild”? Përgjigja do të ishte (thuajse) në çdo rast “JO”, edhe pse e përditshmja pariziene “L’Ekip” shkruan se anglezët janë në kontakt të vazhdueshëm me 21-vjeçarin.
Klopi ka një mentalitet të ngjashëm me atë të Hansi Flikut, Jup Hajnkesit apo Otmar Hicfeldit, pse jo ashtu si teknikët e lavdishëm liverpulas Bill Shenkli e Bob Pejsli. “Yjet nuk bëjnë skuadër, stili ynë nuk është spektakli latin, por loja kolektive”, – thotë kjo filozofi. Jo më kot, Klopi u mendua mirë kur zgjodhi Tiago Alkantarën dhe Diogo Zhotën, lojtarë tipikë që i duhen stilit të tij vrapues dhe pasues pa teprime. Ashtu siç pati Levandovskin, Pishçekun e Blashçikovskin tek Dortmundi. E pra, Paris SG e Reali le të bëjnë betejë dyshe e të mos shqetësohen. Liverpuli nuk do të shpenzojë 250 milionë euro për kartonin e Mbapesë.
Sfidanti.al