Nuk mjaftoi për fitoren, por ai e bëri të vetën. Bekim Balaj u kthye te goli në Premier Ligën ruse, në ndeshjen e fortë të skuadrës së tij, Ahmat të Groznit, ndaj Spartakut të Moskës. Sulmuesi shqiptar barazoi menjëherë rrjetën e shpejtë të kryeqytetasve, që në minutën e 9-të, veçse fati nuk ishte me të dhe me çeçenët.
Spartaku triumfoi 3-1 me shënues dy herë Luiz Adrianon dhe në fund Glushakovin. Gazeta ruse “Sport Ekspres” komenton saktë: “Pa lojë, por me rezultat, Spartaku fiton në Grozni, pavarësisht gabimeve të Glushakovit”.
Balaj, ndërkaq shpreson të shpëtojë një sezon të vështirë, në të cilin ka qenë i dëmtuar, dhe nuk ka mundur të luajë në formën e tij maksimale fizike. Ai ka shënuar vetëm dy gola në 14 ndeshje në të cilat është aktivizuar me një mesatare jo shumë të kënaqshme, prej 1 realizimi në 368 minuta. Gjithsesi, shqiptari mbetet një nga lojtarët më të mirë të Ahmatit të Groznit, pasi golshënuesi numër 1 i edicionit është Oleg Ivanov me 3 rrjeta, një më shumë se ai.
Balaj po ia del, dalë nga dalë, që të kthehet në formë, siç e tregoi jo vetëm goli në Rusi, por edhe ai i shënuar për kombëtaren shqiptare në ndeshjen në Andorrë, për eleminatoret e Europianit. Sulmuesi 28-vjeçar vazhdon të jetë një nga lojtarët më të suksesshëm shqiptarë jashtë vendit, pas përvojave në Turqi, Republikën Çeke, Poloni, Kroaci e Rusi, ndërsa ka realizuar plot 11 rrjeta në ekipet kombëtare të të gjitha niveleve.
Sfidanti.al