Bejli qeshte me Zidanin, por trajneri ndoshta do ta mbajë

Që Garet Bejli nuk shihet me sy të mire nga Zinedin Zidane, nuk është më sekret për asnjeri dhe tani ai ndodhet te dera e daljes së klubit “mbretëror”. Në këto kushte, duket se Bejli i shfrytëzoi “pesë minutat” e veta që të hakmerrej kundër trajnerit francez, kur Reali pësoi një humbje shktërrimtare 3-7 nga Atletiko e Madridit. Në fakt, Bejlit iu dha mundësia që të luante në 30 minutat e fundit të ndeshjes, kur rezultati ishte tanimë 1-6. Sidoqoftë, para se të hynte në fushë, Bejli qeshte në stol, ndërsa më vonë, kur ai hyri në fushë, kamerat e kapën atë, duke qeshur dhe duke parë nga Zidane. Kjo sjellje e tij ngjalli zemërimin e tifozëve që e vërshëllyen atë. Sidoqoftë, Bejli ndodhet te dera e daljes së “Santiago Bernabeut” dhe thuhet se ai tanimë ka pranuar të shkojë të luajë në Kinë.

Gjithsesi, pavarësisht se nuk e sheh dot me sy, Zidani mund të jetë i detyruar të bashkëpunojë me uellsianin, dikur transferimi-rekord botëror në futboll. Mediat britanike dhe spanjolle lajmërojnë se dëmtimi i Marko Asensios ka krijuar një boshësi të madhe në krah, në skuadrën madrilene, dhe Zidani është aq profesionist sa të mos lejojë ndjenjat personale të dëmtojnë përgatitjet e ekipit. Për më tepër, me përjashtim të Eden Hazarit, lojtarët e tjerë të marrë nga Reali nuk janë yje të garantuar, por yje në formim, si Joviç, Kubo apo Rodrigo, pa harruar Vinisiusin apo Lukas Vaskezin.

Sfidanti.al