Nuk dihet sesa e madhe do të jetë sakrifica, ndërsa gjendja financiare është dëmtuar jo pak nga transferimet e nxituara dhe shpesh të dështuara të kohëve të fundit. Barcelona do të duhet të veprojë shpejt për të kënaqur kapitenin e saj, Lionel Mesi, në mënyrë që ai të mos mendojë largimin, dhe po ashtu të bëhet sërish e fortë për të pretenduar trofetë e mëdhenj. E vetmja mënyrë, të paktën siç e shohin në Spanjë, është që Nejmar më në fund të kthehet në “Kamp Nou”. Operacion tepër i vështirë dhe shumë i kushtueshëm, por bordi me presidentin Bartomeu në krye duket se nuk kanë rrugë tjetër.
Që Paris SG të kandiset për të pranuar largimin e brazialinit, duhet që oferta të jetë e një niveli sipërisht të lartë. Besohet se katalanasit do të ofrojnë Antuan Grizmanin, një sulmues i kombëtares së Francës, kampion i botës, dhe që do të përshtatej shpejt me futbollin e Ligës së parë franceze. Po ashtu, do të duhet të transferohet përfundimisht kartoni i Filip Kutinjos, qoftë edhe duke pranuar një humbje të madhe, pasi vetëm kështu do të krijoheshin paratë e duhura. Kutinjo u mor për 150 milionë euro (afërsisht) nga Liverpuli, por nuk mund të transferohet për më shumë se 100 milionë, madje edhe kjo shifër duket e vështirë. Natyrisht, Barça ka një favor, pasi kontrata e Nejmarit përfundon në 2022, dhe PSG do të duhet të veprojë këtë verë, ndryshe vitin tjetër vlera e kartonit të brazilianit do të binte ndjeshëm.
Sfidanti.al