Barcelona si fat, Mesi në Katalonjë me Argjentinën për Botërorin

Është vërtet futbollist argjentinas, por në shenjën e tij personale është shënuar në mënyrë të pashlyeshme një emër, Barcelona. Lionel Mesi nuk i shmanget dot destinit të tij, të pashmangshmes, dhe shkon nga shkon, kthehet sërish në shtëpi. Tek Barcelona si fëmijë me ëndrra për të ardhmen, aty si talent i zbuluar i futbollit botëror, si ylli më i madh i botës, por edhe si kapiten i Argjentinës në itinerarin drejt Kupës së Botës.

Kombëtarja bardhekaltër ndaloi pikërisht në kryeqendrën katalanase, dhe aty do të qendrojë për stërvitje dhe aklimatizim në Europë, përpara stacionit të fundit, Rusisë. Numri 10 i Barçës u prit si hero nga tifozët dhe bashkëqytetarët e tij, ashtu siç u prit gjithë Argjentina, në veçanti ish-lojtari blaugrana, Havier Maskerano. Skuadra e trajnerit Sampaoli do të përgatitet aty deri në 8 qershor, e pastaj do të zhvendoset në qendrën stërvitore në Moskë.

Argjentinasit do të udhëtojnë shumë, pasi ndeshjen e parë e kanë në Moskë në 16 qershor ndaj Islandës, pastaj do të shkojnë 400 km në lindje, për ndeshjen e dytë në Nizhni Novgorod ndaj Kroacisë, dhe në fund luajnë në Shën Peterburg ndaj Nigerisë, mbi 700 km në veriperëndim të Moskës.

Sfidanti.al