Barcelona prezanton “luftëtarin” Vidal, synon “bombën atomike” Pogba

Një luftëtar më shumë për kampionët. Barcelona mori më në fund atë që priste, Arturo Vidali, që përfundoi transferimin nga Bajerni në “Kamp Nou”. Futbollisti i kombëtares së Kilit firmosi kontratë 3-vjeçare, me pagë besohet 9 milionë euro në sezon, dhe ndihet gati.

“Jam i lumtur që jam këtu dhe jam gati të luftoj për të fituar gjithçka, – u shpreh mesfushori kilen, – jam tek Barcelona, skuadra më e mirë e botës, ku luajnë lojtarët më të mirë. Do të jem në krah të Mesit, diçka që nuk mund të ndodhte tek Bajerni”.

Vidali nuk shqetësohet nga dyshimet nëse ai përshtatet me stilin e Barcelonës, ndërsa beson se e rëndësishme është të kesh karakter fitues. Veterani 31-vjeçar vlerësohet si një lojtar tepër luftarak dhe në formë shumë të mirë, pavarësisht moshës jo aq shumë të re. Ai doli edhe në fushën e stadiumit “Kamp Nou”, ku tregoi talentin në përdorimin e topit, si dhe firmosi autografe.

Klubi katalanas bëri kështu një tjetër përforcim të rëndësishëm, pas afrimit të dy brazilianëve, Artur e Malkolm, ndërsa pritet të bëjë një tjetër goditje të madhe. Objektivi i madh i Barçës është Pol Pogba, kampioni i botës me Francën, i cili duket se nuk ka dëshirë të vazhdojë tek Mançester Junajtid, nën drejtimin e Zhoze Murinjos.

Sfidanti.al