Është një nga sulmuesit e momentit në Serinë A, ndoshta më i miri i sezonit. Dushan Vllahoviç është prodhimi i radhës i talentuar dhe i përpunuar i shkollës serbe të futbollit dhe me golin e shënuar ndaj Sasuolos barazoi një rekord. Ylli i Fiorentinës ka 33 gola në një vit “diellor” (siç e thonë në Itali), duke barazuar Kristiano Ronaldon që kishte arritur po kaq. Në sfidën e radhës që i mbetet për 2021-in mundet edhe ta lerë pas superyllin portugez. Ndërkaq, ka 7 ndeshje radhazi që shënon gol dhe ka mundësi të arrijë rekordin e Gabriel Omar Batistutës, një legjende të dikurshme të Fiorentinës, që ia doli për 11 ndeshje radhazi. Për t’ia dalë duhet të vazhdojë të shënojë, duke nisur që nga ndeshja e së mërkurës ndaj Veronës.
Gjithsesi, “kali i kuq e ka një huq” thotë populli, dhe Vllahoviç është porsi yjet e tjerë që duan të luajnë gjithmonë, nga fillimi deri në fund. Trajneri Italiano e zëvendësoi në ndeshjen ndaj Specias dhe sulmuesi iu kthye duke i kërkuar llogari. “Përse më nxjer jashtë? – tha 21-vjeçari, – duhet ta fitojmë ndeshjen!”
Sfidanti.al